Presidenti i Republikës, Ilir Meta përmes një statusi në rrjetet sociale ka shprehur vlerësimet e tij për figurën e Skënder Hykës, ish futbollist i njohur i Tiranës, i cili ka ndërruar jetë një ditë më parë.
“Ngushëllime të sinqerta familjarëve dhe Klubit të Futbollit Tirana për ndarjen nga jeta të Skënder Hykës.
Ai do të mbetet një prej futbollistëve më të dashur të fanellës bardhë e blu të viteve 60-70 dhe një prej sulmuesve dhe golashënuesve më të mirë të kampionatit kombëtar të futbollit. Kontributi i tij i vyer si anëtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, por edhe si trajner dhe mësues i palodhur i edukimit fizik, do të mbeten në kujtesën e të gjithëve.
Modeli i një qytetari të Tiranës dhe përfaqësues i denjë i familjeve të vjetra tiranase, Skënderi do të kujtohet me mirënjohje dhe nderim nga të gjithë sportdashësit për emocionet e veçanta që ai u dhuroi në fushën e gjelbër. Jam pranë familjes Hyka, e cila për dekada të tëra vazhdon t’i japë futbollit tonë emra të njohur e të shquar! U prehtë në paqe shpirti i tij!”, shkruan Meta