Paketa anti-KÇK, Genc Pollo: Rama s’i përdor dot më ndërkombëtarët si gjethe fiku, po kthehet në pengesë

Saturday, 01 February 2020 15:26

Ish-ministri dhe ish-deputeti demokrat, Genc Pollo, komenton paketën anti-KÇK të prezantuar një ditë më parë nga qeveria, dhe që sipas kësaj të fundit, do të godasë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, ish-deputeti Pollo sjell në vëmendje reagimet e SHBA dhe BE për këtë paketë, teksa të pyetur nga “Zëri i Amerikës” thanë se nuk janë njohur me të, e për pasojë nuk mund të flasin.

Referuar kësaj, por edhe nismave të mëparshme të qeverisë, që janë kundërshtuar nga ndërkombëtarët, siç ishte edhe paketa anti-shpifje, Pollo shkruan se Rama nuk po i keqpërdor dot më ndërkombëtarët si gjethe fiku.

Reagimi i Genc Pollos:
Edi Rama nuk po i keqpërdor dot më ndërkombëtarët si gjethe fiku.
◦ Në dhjetor Edi Rama tha se për ligjin antifjalë ishte marë vesh 100% me OSBE-në. Përfaqësuesi për Lirinë e Medias në OSBE z. Harlem Désir e përgënjeshtroi një ditë më pas, dhe sërish në janar.

 

◦ Në 28 janar Edi Rama u kërkoi “autoriteteve italiane” të mohonin ekzistencën e raportit ende konfidencial të policisë italiane i cili dëshmon se në vitin 7 të qeverisë Rama kultivimi i kanabisit u rrit 1200%. Informacioni i plotë mbi raportin u publikua në 27 janar nga RAI3. Autoritetet italiane nuk e bënë këtë deklaratë e prandaj Rama dërgoi vrrik në Itali zv. ministrin e brendshëm Hodaj për të takuar me ngut zyrtarë italianë e për të thënë pas takimeve se raportimet e mediave nuk janë të vërteta. Këtë deklaratë të zv ministrit të tij Rama e shiti në publik si “mohim të ekzistencës së raportit nga autoritetet italiane”.

◦ Prej javësh na thotë se ligjin KÇK , i cili po rezulton një vegël shtesë që banditët në pushtet të kapin ç’të mundin sa pa ikur, e ka kopsitur me amerikanët dhe europianët. Dje si Ambasada e ShBA-së po ashtu edhe Delegacioni i Bashkimit Europian e bënë hasha Ramën edhe në këtë çështje. Rama po kthehet çdo ditë e më shumë në problem e në një pengesë brenda e jashtë vendit.

Modifikuar më Saturday, 01 February 2020 15:29
Login to post comments