Kur propaganda i del zbuluar, Edi Rama spastron Facebook-un e tij.
Kështu ka ndodhur mbrëmjen e sotme kryeministri, i cili ka hequr numrin e familjeve që qeveria i numëron si të ndihmuara prej saj. Në postimin e përnatshëm, në Facebook u vu re që kjo shifër e ndarë sipas qyteteve mungonte.
E gjitha kjo pasi Partia Demokratike publikoi një dokument që provoi se qeveria ka shpërndarë pako ushqimore vetëm tek 9,059 familje që nga shpërthimi i epidemisë më 9 mars dhe jo aq sa ka pretenduar qeveria deri tani.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili publikoi dokumentin, vuri në dukje se kjo shifër provon që kryeministri genjen për ndihmën e ofruar nga qeveria, pasi ai ka deklaruar një shifër prej 250 mijë familjesh të ndihmuara.
"Përmes regjimit të facebook-ut, ai njofton se qeveria ka furnizuar me ndihma rreth 10 mijë familje në ditë, 250 mijë familje gjithsej që nga mbyllja e ekonomisë. Kjo është një nga talljet e tij të zakonshme me shqiptarët që po vuajnë pasojat e keqmenaxhimit të krizës.
Kjo është një gënjeshtër e shëmtuar e kllounit që kemi për kryeministër, i cili nuk do t’ia dijë për mijëra familje në nevojë dhe biznese pa asnjë të ardhur që i ka lënë në mëshirë të fatit", do të shprehej ndër të tjera në reagimin e tij numri dy i selisë blu.
Menjëherë pas kësaj, Rama nuk e nxori më në facebook numrin e familjeve të ndihmuara, siç ka bërë çdo natë.