Trajneri i Sevillia-s, Vincenzo Montella, refuzon të marrë stolin e Italisë. Ish-tekniku i Milan në një intervistë për “Fox Sport” ka thënë se është i kënaqur në Spanjë dhe se për t’u bërë trajner i ‘axurrëve’ duhet të jesh një person i thinjur.
“Nuk ka asnjë mundësi që unë të bëhem trajner i Italisë sepse jam shumë mirë te Sevilla dhe kam ndërmend të punoj këtu sa më gjatë të jetë e mundur, për më tepër nuk kam pasur asnjë kontakt me “axurrët”. Pastaj mendoj se ai që duhet të stërvitë Italinë është e nevojshme të ketë flokët e bardha dhe për momentin ka shumë pak të tillë.”- ka thënë Montella.
Montella tregon se kush është kandidati ideal sipas tij: “Më shumë Ancelotti se Mancini? Roberton e kam takuar disa herë, por jo së fundmi, megjithatë është i thinjur. Çfarë duhet të ketë trajneri i ri? Mendoj se kjo zgjidhje i takon Costacurta. Përpara se të stërvitë ekipin duhet kuptuar drejtimi që duhet ndjekur. Në Itali ka shumë trajnerë të aftë. Mendoj se Ranieri ka një përvojë ndërkombëtare është një njeri i ekuilibruar dhe ka bërë gjithmonë një punë të mirë te ekipet që ka qenë.”