Nga suksesi ndaj Partizanit, në garën për vendin e dytë në kampionat, Kukësi tashmë është projektuar drejt finales së Kupës së Shqipërisë. Por më parë skuadra e Peter Pacult duhet të kalojë Laçin, një rival që e vlerëson po aq të fort sa të kuqtë dhe kërkon një tjetër paraqitje të shkëlqyer nga ekipi.
“Laçi, kundërshtari me të cilin përballemi në Kupë, është një skuadër po aq e fortë sa Partizani.” u shpreh Pacult.
Ndërsa e pranon se Kukësi është më i favorizuar në gjysmëfinalen e kthimit, trajneri premton lojë sulmuese prej fillimit dhe me besimin e rritur te skuadra e tij deklaroi se nuk i ka përgatitur lojtarët për ekzekutimin e penalltive.
“Barazimi 0-0 na favorizon disi. Kjo edhe për faktin se ndeshjen e kthimit e kemi në shtëpi.” tha ai.
Objektivi është kalimi në finale, edhe pse mungesat mbeten një problem te Kukësi. Kapiteni Ylli Shameti pritet të mos luajë ndaj Laçit për shkak dëmtimi, ashtu si edhe Rrumbullaku nga e majta e mbrojtjes, ndërsa në dispozicion të trajnerit është kthyer Rustem Hoxha.
“Në rast se nesër fitoj 1-0 do isha i kënaqur. Qëllimi i radhës është të arrijmë në finalen”