Legjenda braziliane Pele është i vetmi futbollist që ka fituar 3 Botërorë dhe sa herë afrohet ngjarja më e madhe futbollistike ai është në qendrën e vëmendjes.
Në një intervistë të fundit, mbi të tjera, Pele ka rrëfyer për herën e parë që është grumbulluar me kombëtaren, ftesë e cila korrespondon me finalet e Botërorit suedez në vitin 1958 kur braziliani ishte vetëm 17-vjeç.
“Ftesa ime e parë? Mund të them se çdo Botëror ka bukurinë dhe veçantinë e tij, por Botërori i parë është më special. Unë kam luajtur në 4 Kupa Bote dhe ajo që dua të veçoj është hera e parë, pasi isha vetëm 17 vjeç. Mbaj mend që erdhi në shtëpi babai im, i cili ishte futbollist gjithashtu dhe më tha ‘Urime bir, ti je përzgjedhur nga Kombëtarja për të luajtur në Botëror’. E mora me të qeshur dhe i thoja lëri këto shaka por babai insistonte duke thënë se nuk janë shaka. Kur e kuptova se jam realisht i grumbulluar, nisa të qaja nga gëzimi. Nuk më besohej që do merrja pjesë në një kompeticion të tillë në moshën 17-vjeçare”, u shpreh Pele për mediat braziliane.
Botërori i 1958 u fitua nga Brazili i cili mposhti 5-2 Suedinë në finale. Aktualisht Pele është 77 vjeç dhe mban rekordin e golashënuesit te Brazili, me 77 gola në 92 ndeshje.