Lojtarë e përzgjedhur nga fusha për të dalë përballë UEFA-s për të dëshmuar në mbrojtje të kauzës korçare në Apel janë Sabien Lilaj dhe Bakary Nimaga.
Ata do të prononcohen përballë Komisionit të Apelit, ku Skënderbeu ka ndjekur procedurën për të bërë rekursin e radhës kundër vendimit të Konfederatës Europiane për ta përjashtuar për 10 vjet nga kompeticionet kontinentale.
Futbollistët janë thërritur në këtë seancë nga vetë klubi korçar, që synon të bindë UEFA-n në pafajësinë e tij.
Lilaj dhe Nimaga janë shprehur të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre në këtë çështje me rëndësi jetike për Skënderbeun, duke thënë të vërtetën para panelit të Apelit.
Marrja e dëshmisë do të jetë e ndryshme për të dy lojtarët, pasi Sabien Lilaj do të udhëtojë fizikisht drejt Zvicrës për të dhënë dëshminë e tij, ndërsa ajo e Bakary Nimagas do të realizohet nëpërmjet një video konference.
Të dy djemtë, janë ndër futbollistët më jetëgjatë të Skënderbeut për periudhën në të cilën shtrihet procedimi. Lilaj e ka veshur fanellën e Skënderbeut që nga viti 2012, ndërsa Nimaga është bashkuar me korçarët një vit më pas.
Vetë kapiteni Orges Shehi, ka konfirmuar se disa nga futbollistët e skuadrës do të dëshmonin para UEFA-s, duke shprehur edhe gatishmërinë e tij për të dëshmuar personalisht në Komisionin e Apelit.
Vlen të saktësohet kjo e kësaj të premteje do të jetë një seancë dëgjimore, çka do të thotë se vendimi i Apelit do të merret më vonë, ndërkohë që Skënderbeu synon ta ndjekë çështjen në të gjitha instancat ligjore, deri në KAS dhe më pas edhe në Gjykatën Federale Zvicerane./supersport.al